Askush nuk mund ti ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetëvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë.
Kështu ka deklaruar kreu i LDK-së Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook. Mustafa ka thënë se Richard Grenell, Miroslav Lajçak dhe Joseph Borrell nuk janë ata që ndryshojnë kufij e shëmbëjnë territore, por se kjo çështje varet nga lidershipi kosovar, shkruan Periskopi.
Ka ritheksuar se tema për ndryshim kufijsh, do të hapte temën për pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Postimi i Mustafës në Facebook:
Askush nuk mund ti ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetëvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë.
Nuk është Grenelli as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojme me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës.
Duhet të besojmë në SHBA-të dhe në BE dhe të besojmë në Kosovën. Kjo është e vetmja qasje për dialogun.
Popullizmi dhe lufta e shtrigave nuk na qon askund. Vetëm vendet komuniste kanë mbijetuar deri në fundin e tyre, duke prodhuar kundershtarë dhe armiqë. Kur iu kanë sosur kundërshtarët, janë sosur edhe ato vet.
Kosova e ka shpallur pavarësinë në këtë territor dhe në këta kufij; kështu thotë edhe Deklarata e Pavarësisë. Prandaj s’kemi arsye ta hapim këtë temë, sepse e hapim temën e pavarësisë së shtetit tonë, që është mbyllur me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, po ashtu, nuk kemi arsye të frikësohemi nga dialogu. Duhet të dialogojmë që, në këta kufij dhe me këtë territor që e kemi, të na njoh Serbia, të anëtarësohemi në OKB, të na njohin edhe pesë vende të BE-së dhe të anëtarësohemi në NATO. Ky është interes i shtetit tonë i drejtpërdrejtë; është edhe interes i ndërmjetësuesit nga SHBA dhe atyre nga BE, sepse me këtë sigurohet stabiliteti në këtë pjesë të botës dhe hapet perspektivë e re e zhvillimit ekonomik. IM