Mustafa: Kurti vet kishte thënë se partia e parë s’është mbret dhe se e dyta mund ta formojë Qeverinë – VIDEO
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se qeverinë mund ta formojë edhe partia e dytë. Madje Mustafa tregon se edhe Kurti mendonte dikur kështu duke thënë se kushdo që del i pari nuk është mbret.
“Është e qartë se Gjykata Kushtetuese ka thënë se qeverinë mund ta bëjë edhe partia e dytë, e tretë, apo e katërt. Kështu e ka interpretuar edhe vet Kurti në vitin 2014, ai ka thënë se kushdo që del i pari nuk është mbret”, është shprehur Mustafa.
Ai tha se Kurti hezitoi ta bëjë qeverinë duke mos e dërguar emrin e kryeministrit nga partia e vet.
“Askush nuk mund ta shfrytëzojë një afat kohorë pa kufi. Sepse megjithatë duhet të ekzistojë një kufi që partia që ka dalë e para, të reflektojë dhe ta jep kandidatin për kryeministër. Fakti që partia e parë heziton ta jep emrin për kryeministër, tregon se kjo parti nuk është e interesuar ta bëjë qeverinë”, ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa ftoi Gjykatën Kushtetuese të japë një përgjigje sa më parë sepse kjo sipas tij, ndihmon në praktikën e ardhshme që do të ballafaqohen partitë.
“Gjykata Kushtetuese duhet ta japë një përgjigje, sepse kjo ndihmon në praktikën e ardhshme me të cilën ne do të ballafaqohemi”, thotë Mustafa në RTV 21.
Krejt në fund, Mustafa tha se qytetari nuk vendos kush do ta bëjë qeverinë, vetëm për deputetët në Kuvend, e pastaj deputetët formojnë qeverinë.
“Qytetari nuk vendos kush do të qeverisë, vota e qytetarit vendos për deputetët dhe cila parti do të ketë më shumë deputetë. Në zgjedhjet e përgjithshme votohet për parlamentin, jo për qeverinë. E pastaj, Kuvendi e zgjedh qeverinë, kjo do të thotë se një shumicë duhet ta bëjë shumicën parlamentare. Nuk shkelet demokracia kështu, por respektohet vota e qytetarëve”, përfundoi Mustafa.