LAJME

Mustafa: S’ka disponim për zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, para takimit të kryeministrit Avdullah Hoti me partnerët e koalicionit që do të mbahet pasditen e sotme, deklaroi se nuk ka disponim për zgjedhje. Mustafa tha se në partinë që ai udhëheq nuk është trajtuar pozita e presidentit. Veç kësaj ai tha çështja e presidentit nuk do të trajtohet derisa nuk do të sfidohen me mandatin kushtetues.

“Në LDK nuk është trajtuar pozita e Presidentit dhe nuk do të trajtohet derisa nuk sfidohemi me mandatin kushtetues, prandaj edhe nuk kemi kurrfarë kundërshtimesh por as pajtimesh me askënd”, ka thënë Mustafa në një përgjigje elektronike. Ditë më parë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është i gatshëm për postin e presidentit.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të takohet sot me liderët e partnerit të koalicionit qeverisës. Temë diskutimi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të AAK-së Ramush Haradinaj dhe kreun e NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, do të jenë zhvillimet e deritanishme në procesin e dialogut dhe pritjet për takimin e radhës në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator. Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe çështje të tjera në funksion të realizimit të programit qeverisës të dakorduar me partnerët e koalicionit.

LEAVE A RESPONSE