Bota

Nga nesër, Danimarka hap kopshtet dhe shkollat

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, njoftoi në një deklaratë për shtyp se qeveria do të hapë gradualisht institucionet dhe bizneset si rrjedhim i pakësimit të të infektuarve nga koronavirusi.

Frederiksen citoi rënien e vazhdueshme të të shtruarve në spital dhe të pacientëve në gjendje të rënduar shëndetësore.

“Bravo Danimarkë! Forca dhe për pjesën e dytë të krizës,” tha Frederiksen. “Jemi në rrugën e duhur. E kemi nën kontroll.”

Shumë prej kopshteve dhe shkollave të Danimarkës do të hapen nesër. Qeveria njoftoi se shërbimet shëndetësore do të vijojnë gjithashtu punën si normalisht edhe për raste jo kritike.

Deri më tani nuk janë specifikuar hapat e rradhës, por qeveria po përqëndrohet te kthimi i qytetarëve në punë. Sigurisht, nuk do të kthehen të gjithë në punë në të njëjtën kohë.

Sidoqoftë, Frederiksen tha se për të siguruar suksesin e nismave, është me rëndësi jetësore që qytetarët t’u binden rregullave të vendosura nga autoritetet. Deri më tani, Danimarka ka regjistruar 6681 të infektuar me koronavirus, 299 të vdekur dhe 2515 të shëruar.

Burimi: Copenhagen Post

LEAVE A RESPONSE