LAJME

Nuk i ka nënshkrimet për mocionin, por LVV-ja thotë se po përgatitet për zgjedhje

Ani pse ende nuk i kanë siguruar 40 nënshkrimet që u duhen për të thirrur seancë për mocionin, partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se është duke u përgatitur për zgjedhje të reja, raporton Gazeta Express.

Në një njoftim nga ky subjekt të publikuar në faqen e tyre në Facebook, nga LVV thonë se sot kreu i partisë, Albin Kurti dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, janë takuar sot me Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkan, Arne Sannes Bjørnstad, dhe ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.

Nga LVV kanë deklaruar se kanë diskutuar për situatën me pandeminë si dhe rrezikun e përkeqësimit të kësaj situate.

Sipas tyre, ndër çështjet e trajtuara ishte edhe situata gjeopolitike në Ballkan e më gjerë, dialogu me Serbinë dhe katër lëndët e adresuara nga LVV në Gjykatën Kushtetuese për të cilat po priten vendimet.

Partia e Albin Kurtit ka deklaruar gjithashtu se janë duke bërë përgatitje për zgjedhje të reja në vend. /GazetaExpress/

LEAVE A RESPONSE