Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se sa i përket LDK-së, Vjosa Osmani mund ta mbajë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës pas formimit të Qeverisë së re.
Në këtë mbledhje të Kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani nuk ishte e pranishme, ndërsa lidhur me këtë Mustafa tha se janë thirrur të gjithë anëtarët e Kryesisë, ndërsa nuk kanë marrë pjesë dy-tre anëtarë.
Gjatë konfrencës për medie, Mustafa u pyet nëse Vjosa Osmani do të mbetet kryetare e Kuvendit të Kosovës, edhe pas formimit të Qeverisë së re që pritet të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.
“Sa na përket neve, ne dëshirojmë të mbetet. Duhet me pa se a do të hapet ajo pjesë sepse sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese ajo pozitë i takon partisë fituese”, tha Mustafa.
Kryesia e LDK-së, në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim që Avdullah Hoti të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër. Kjo është konfirmuar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një konferencë për medie pas përfundimit të mbledhjes.