Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka shkelur marrëveshjen e arritur në Uashington pak më shumë se 24 orë pas nënshkrimit. Kështu thotë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, duke komentuar pikën e marrëveshjes ku Serbia zotohet të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.Osmani iu referua kërkesës së Vuçiqit për Izraelin për të mos e njohur Kosovën.
“Vuçiqit iu deshën pak më shumë se 24 orë për të shkelur pikën 15 të zotimeve që ai nënshkroi në D.C., e cila u kërkon atyre të ndërpresin fushatën çnjohjeve dhe të përmbahen nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare nga të tjerët që të mos e njohin Kosovën. Kaq tipike për Serbinë”, shkroi ajo Osmani në Tëitter.
Presidenti serb tha sot se izraelitët janë “miq tanë, vëllezër dhe shpresoj se kështu do të mbetet dhe i lus edhe njëherë që të mendojnë se çfarë vendimi do të marrin”. Po sot, Vuçiq theksoi se duhet pritur reagimin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan ndaj liderëve të Kosovës, pasi Prishtina zyrtare tha se do të hapë së shpejti ambasadën në Jerusalem.
“I kuptoj lojërat politike në të cilat dikush dëshiron të thotë se edhe një vend mysliman e pranon Izraelin, duke aluduar në Kosovën. Shumë mirë nëse Kosova e pranon Izraelin, por së pari Izraeli duhet ta pranojë Kosovën, e atëherë Kosova ta bëjë punën e saj…Ta shohim se çfarë do t’i thotë Erdogani Hashim Thaçit e Avdullah Hotit”, th Vuçiq.