Avokati i njohur kosovar, Dastid Pallaska, ka dhënë edhe një shpjegim shtesë për përdorimin që Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë Kushtetutës së Serbisë për të argumentuar ankesën e tyre në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës kundër dekretit të presidnetit Hashim Thaçi.
Pallaska thotë se Vetëvendosje e ka shfrytëzuar nenin 130 të Kushtetutës së Serbisë, për të mbështetur pretendimin e tyre se Kuvendi mund të zgjedh Qeverinë e re pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit vetëm nëse një gjë e tillë parashihet qartë në dispozita kushtetuese.
“Argumenti” kushtetues në shërbim të të cilit Lëvizja Vetëvendosje ka cituar Kushtetutën e Serbisë në kërkesën e vet të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese është më se i qartë.Në kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje pretendohet se Kuvendi nuk mund të zgjedhë Qeverinë e re pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit pasi që kjo nuk parashihet shprehimisht me Kushtetutën e vendit.Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, zgjedhja e Qeverisë së re pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit është e mundshme vetëm atëherë kur kjo shprehimisht parashihet me dispozita kushtetuese”, ka shkruar Pallaska, raporton Express.
Ai thotë se për të mbështetur një argument të tillë, Vetëvendosje kanë cituar Kushtetutën e Serbisë e cila parasheh mundësine e zgjedhjes së qeverisë së re pas një mocioni të suksesshem mosbesimi.
Për ta “mbështetur” këtë “argument,” Lëvizja Vetëvendosje ka cituar edhe Kushtetutën e Serbisë që parasheh se pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit mund të zgjedhet Qeveria e re”, ka shtuar tutje ai.
Në fund Pallaska thotë se për një skandal të tillë të Lëvizjes Vetëvendosje duhet që të gjitha palët të dorëzojnë komentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojnë që Kushtetuesja të përjashtojë shqyrtimin e Kushtetutës së Serbisë për të bërë krahasime. Sipas Pallaskës shyqrtimi i një ankese të tillë bashkë me pjesën ku përmendet Kushtetuta e Serbisë mund të prodhojë pasoja të rënda politike dhe kushtetutese për Kosovën.
“Duke marrë parasysh këtë skandal të pashembullt, është qenësore që të gjitha palët e autoriziara që mund të dorëzojnë komente në këtë rast, të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që ta PËRJASHTOJ shqyrtimin e Kushtetutës së Serbisë nga analiza krahasuese e ofruar nga Lëvizja Vetëvendosje.Kjo për shkak se shqyrtimi i një dokumenti ku SHPREHIMISHT mohohet shtetësia e vendit – qoftë edhe si pjesë e parashtresës së paraqitësit të kërkesës – mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme kushtetuese dhe politike për vendin”, ka përfunduar Pallaska.
Lëvizja Vetëvendosje në ankesën e tyre të dërguar nga Gjykatën Kushtetuese e kanë përdorur si argument Kushtetutën e Serbisë për të dëshmuar siç thuhet në dokumentin e tyre vakumin që ka Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
“Pra, për të argumentuar më thellë çështjen e vakumit kushtetues në aktivizimin e nenit 95 dhe 95 par 4 të të Kushtetutës së Kosovës, jemi të detyruar që përmes kushtetutave të vendeve të rajonit dhe të shteteve të BE-së, të argumentojmë se si nuk mungojnë dispozita kushtetuese në formë të shprehur në krijimin e qeverive të reja pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverive aktuale”, thuhet në arsyetimin e shkruar në ankesën e VV-së pas të cilit është shfrytëzuar kushtetuta e Serbisë./Express/