LAJME

Pas votimit të Qeverisë Hoti, Albin Kurti nuk do të jetë as deputet në Kuvend

Në tetor të vitit të kaluar pas zgjedhjeve parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje doli partia fituese ku siguroi 30 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e LVV-së të cilët në këto zgjedhje ishin më të votuarit, pas formimit të Qeverisë kaluan nën udhëheqjen e disa prej ministrive.

Albin Kurti mori postin e kryeministrit, Glauk Konjufca postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albulena Haxhiu u bë ministre e Drejtësisë, Arben Vitia ministër i Shëndetësisë, Haki Abazi zëvendëskryeministër i dytë.

Por, pas mocionit për rrëzimin e kësaj Qeverie, dhe në rast të formimit të Qeverisë së re nën udhëheqjen e LDK-së, ministrat aktual në detyrë të LVV-së do të mbeten jashtë ministrive por edhe jashtë Kuvendit.

Me këtë rast Grupi Parlamentar i LVV-së do të mbetet në Kuvend pa zërat më të fuqishëm të cilët në legjislaturën e kaluar të Kuvendit ishin më të zëshmit, shkruan telegrafi.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për Telegrafin se në situata të tilla përbërja e Kuvendit nuk ndryshon, vetëm në rast të shkuarjes në zgjedhje.

“Kuvendi i Kosovës është institucion i cili veçse është i konstituar dhe përbërja e tij nuk ndryshon përveç nëse shkojmë në zgjedhje. Pra, pavarësisht se çfarë ndryshime ndodhin në përbërjen e qeverisë, ndryshimi i qeverisë dhe përbërjes së saj nuk reflektohet në ndryshimin e përbërjes së Kuvendit. Pra, në një situatë të tillë nuk ekziston mundësia e rikthimit të Glauk Konjufcës, Albunela Haxhiut dhe të tjerëve në postin e deputetit”, ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër edhe Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë për Telegrafin se ministrat në detyrë të LVV-së, nuk kanë asnjë mundësi të rikthimit në Kuvendin e Kosovës.

“Në rastin në fjalë asnjëri nga ish-ministrat nuk mund të kthehen në pozitat e deputetit meqë në momentin e votimit si ministra e humbin mandatin si deputet. Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë, kjo pasi që nuk lejohet që të mbahen dy pozitat”, ka thënë Spahija.

Ndryshe LDK ka kërkuar që nesër të mbahet seanca për votimin e Qeverisë Hoti, e cila do të jetë në përbërje nga LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe dhe komunitetet jo serbe.

Kujtojmë se në zgjedhjet e tetorit, Albin Kurti kishte marrë 183,868 vota, pas tij Glauk Konjufca ishte më i votuari me 72,775 vota, Albulena Haxhiu kishte marrë 46,861 vota, Arben Vitia 26,074 vota, dhe Haki Abazi 15,922 vota.

LEAVE A RESPONSE