Partia Demkoratike Shqiptare kërkon anulimin e provimeve të Maturës Shtetërore, e krahas kësaj propozojnë që maturantët gjithsesi të pajisen me dokument nga Ministria e Arsimit.

Nënkryetarja e PDSH-së Valbona Toska, në konferencën e sotme për media shpjegoi zgjidhjet që partia e saj propozon për provimet e Maturës Shtetërore për vitin shkollor 2019/2020..

“Ne, propozojmë që me Diplomën e Maturës për vitin shkollor 2019/2020 të pajisen të gjithë maturantët, pa përjashtim. Gjithashtu propozojmë që Ministria e Arsimit të formojë një ekip/trup ekspertësh, i cili, në konsultim me përfaqësues të të gjitha unioneve të nxënësve të shkollave të mesme, do të vendosë për kriteret e dhënies së Diplomës së Maturës (kritere për notat)” tha Toska.

Kërkesën Toska e arsyetoi duke sqaruar se edhe sikur situata me virusin COVID -19 të tejkalohet në kohën më të shkurtër të mundur, prapë se prapë të gjitha rrethanat që ndikojnë në procesin e realizimit të provimeve të Maturës Shtetërore, janë në disfavor të maturantëve të sivjetmë.

“Ata nuk ndjekin mësim të rregullt dhe mënyra e realizimit të procesit mësimor nuk përket me formën dhe cilësinë standarde;  kanë shkëputje nga mësimi pikërisht në kohën kur zakonisht intensifikohen aktivitetet dhe ushtrimet rreth Maturës Shtetërore;  janë në ankth për epilogun e provimeve të Maturës;  me të drejtë janë të shqetësuar edhe për mundësinë e sigurimit  të masave mbrojtëse gjatë realizimit eventual të provimit (provimet e Maturës Shtetërore i japin rreth 15 000 nxënës, kurse parashikimet rreth pandemisë janë se distanca sociale do të vijojë për një kohë të gjatë), por janë të shqetësuar edhe për ardhmërinë e tyre në përgjithësi, gjë që i rëndon edhe në aspektin psikologjik” tha nënkryetarja e PDSH-së, duke përfunduar se diploma e Maturës është një dokument shumë i rëndësishëm që vërteton në mënyrë zyrtare përfundimin e një cikli arsimor dhe njëkohësisht është dokument i domosdoshëm për regjistrim në nivelin pasues./TV21

By admin

Leave a Reply