Sot gjatë një konference për shtyp sekretari organizativ i PSD-së, Nol Nushi, ka akuzuar qeverinë në detyrë për politizim të situatës së pandemisë, si dhe për keqmenaxhimin dhe jo-transparencën sa i përket rastit tragjik të vdekjes së një 26 vjeçar në karantinën e improvizuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Ai tha se kanë kaluar 8 ditë që nga rasti tragjik ndërsa akuzoi kryeministrin Kurti dhe ministrin e shëndetësisë Vitia për mostransparencë, duke thënë se, “e kemi parë shpesh kryeministrin i cili i drejtohet publikut edhe për gjëra më banale, kurse për rastin tragjik të konvikteve ka heshtur. Poashtu, ministri Vitia deri vonë ishte yll i paraqitjeve publike, por ka kohë që nuk është paraqitur në publik ndonëse situata me pandeminë po vazhdon”.
Pos kësaj, Nushi, gjithashtu akuzoi qeverinë edhe për mënyrën selektive të lirimit nga karantina, dhe përmendi denoncimet publike për certifikata të falsifikuara për persona të ndryshëm të cilët kishin lidhje me partinë në pushtet, duke shtuar se ekzistonin xhirime dhe dokumente të cilat paskan dëshmuar këtë fakt.
Ai shtoi se ministri Vitia dhe Sveçla duhet të japin dorëheqje të menjëhershme për “shkak të përgjegjësisë politike mbi rastin”, duke shtuar se, “nuk po themi që janë fajtorë, por po themi që janë përgjegjës. Ai person ka vdekur në duar të shtetit, i cili po e mbante atë pa faj dhe pa dëshirë. Nuk bën të harrojmë që të dy këta ministra kanë treguar që para Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut, ata dëgjojnë shefin e tyre Kurtin. Prandaj dorëheqja e tyre do të ishte vetëm një hap që do të garantonte mos ndërhyrjen e tyre ne procesin hetimor. Personalisht jam i bindur, që ministri Vitia do të jepte dorëheqje por ai nuk lejohet nga Kurti”.