Partia Socialdemokrate ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shpallur antikushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të shpallur zonë karantine Komunën e Prizrenit.
PSD-ja thekson se Kosovës i duhet njerëz që e shohin ligjin para shefit, sepse sipas tyre, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është “instrumentalizuar nga lufta paranojake e Kurtit me Hashim Thaçin”.
“Sot u kuptua ajo që shumëkush e kishte ditur në momentin e skadimit të masave të para antikushtetuese. Të njëjtën ditë u shpallën masat e reja. Antikushtetuese me qëllim. Gjykata Kushtetuese sot njoftoi se shpallja e Prizrenit zonë karantine shkel nenin 55 të Kushtetutës (Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore), dhe nenin 35 (Liria e Lëvizjes). Duhet përsëritur sërish se shkelja e Të Drejtave dhe Lirive Themelore është shkelja më e rëndë e Kushtetutës. Kësaj here, shkelja e bartë firmën e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, por të gjithe e dimë se ky i fundit është instrumentalizuar nga lufta paranojake e Kurtit me Hashim Thaçin. Kosovës i duhen njerëz me integritet që e shikojnë ligjin para shefit. Buzëqeshja pastaj mirësevjen”, thuhet në këtë reagim.