Përkundër rritjeve të rasteve me COVID-19, qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbrëmjes ka marrë vendim që të rihap transportin ajror, pishinat dhe tubimet publike. Por ekzekutivi tha se nëse nuk mund të mbikëqyren gjatë javës në vazhdim, dhe ka situatë të re epidemiologjike në Kosovë, rekomandimi është kthimi i masave rigoroze.
Gjatë kësaj mbledhjeje, edhe ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Vesel Krasniqi tha se prej 1 korrikut do të hapen edhe pishinat.
“Ashtu siç kemi biseduar, ne i kemi marrë rekomandimet nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë, besoj se do ta kemi edhe një takim, por nga data 01.07.2020 do të fillojnë të punojnë në bazë të udhëzimeve që do t’i japim edhe gastronomia edhe pishinat”, tha ai.Shefi i ekzekutivit, Avdullah Hoti tha se këto vendime janë në kuadër të hapjes së ekonomisë, por në vazhdimësi duhet marrë parasysh edhe shëndeti i njerëzve.
“Ne do të punojmë për hapjen e ekonomisë por duke pasur parasysh shëndetin e njerëzve”, u shpreh Hoti.
Marrja e gjithë këtyre vendimeve, ministri i Shëndetësisë, Armen Zemaj tha se është bërë me rekomandimin e ekspertëve shëndetësor.
Por theksoi se nëse ka situatë të re epidemiologjike, do të kthehen masat rigoroze.
“Nëse rastet nuk mund të mbikëqyren gjatë javës në vazhdim dhe ka situatë të re epidemiologjike në Kosovë, rekomandimi është kthimi i masave rigoroze”, ka deklaruar ai.