Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar pas arrestimit të një aktivisti të kësaj partie, që sot gjatë kohës sa presidenti i vendit, Hashim Thaçi po mbante konferencë në oborr të Kuvendit, bërtiti “hajn” dhe “pronto”.
Përmes një reagimi nisur për media, nga partia e Albin Kurtit kanë deklaruar se truprojat e presidentit kanë goditur dhe e kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin Veron Hasani.
Kjo sipas LVV’së ka ndodhur pasi që Hasani ka bërtitur “o hajn”, sa Thaci po mbante konferencë në oborr të Kuvendit.
“Nga pamjet e videos bashkangjitur, xhiruar nga mediat, shihet qartë sjellja çnjerëzore dhe brutale e këtyre truprojave ndaj një qytetari që nuk ka bërë asgjë, përveçse ka folur. Me të mbaruar punë me qytetarin, truprojat i janë kthyer gazetarit, i cili po ashtu është sulmuar që t’i merret videoja. Mbulimi i gjurmëve, karakteristikë e bashkëpunëtorëve të këtij presidenti. Një regjim që nuk e duron të vërtetën, kritikën, dhe drejtësinë mund të sillet vetëm në këtë mënyrë”, thuhet në reagim.