Bartësi i listës për deputetë në njësinë 6 i koalicionit “Tash është koha”, Ziadin Sela, si dhe kandidatët e tjerë të kësaj zone, sot kanë zhvilluar takime me banorë të Komunës së Zhelinës.
Para banorëve të Debërcës, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, foli për shqetësimet me të cilat përballen qytetarët shqiptarë në mbarë vendin dhe ofroi zgjidhjen e koalicionit, duke kërkuar që qytetarët e kësaj ane më 15 korrik të votojnë numrin 5, si të vetmen alternativë që sjell shpresë dhe “shtet për të gjithë”.
“Shqiptarët, sot në shekullin 21, në vitin 2020 kanë mungesë të ujit të pijshëm. Kjo është e rëndë. Është e turpshme që edhe sot pas 30 vitesh pas pavarësisë së Maqedonisë dhe 18 vite nga Marrëveshja e Ohrit, pas gjithë atyre cikleve zgjedhore, ne ende të bëjmë fushata me premtime për ujë të pijshëm. Në këtë gjendje na kanë sjellë këta që sot duan të na lajnë trurin me ëndrra. 18 vjet i kanë pasur të gjitha pushtetet e nuk kanë mundur të sigurojnë ujë për shqiptarin e zakonshëm. Ne do ta bëjmë këtë, por me ndihmën dhe besimin tuaj. Do ta marrim atë që e meritojmë e na takon, prandaj më 15 korrik ta votojmë ndryshimin, ta rrethojmë numrin 5, koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që shtetin ta bëjmë për të gjithë”, tha mes tjerash Ziadin Sela nga Koalicioni “Tash është Koha”.
Koalicioni ASH-AAA dhe kandidatët e njësisë së gjashtë zgjedhore sot realizojnë takime edhe me banorë të Treboshit, Pallaticës, Zhelinës dhe Strimnicës në Komunën e Zhelinës.