Genc Selmani nga Departamenti i Shëndetësisë në partinë Aleanca për Shqiptarët përmes një komunikate ka kritikuar menaxhimin e qeverisë me situatën me koronavirusin. Në reagim shkruan se eskalimi i gjendjes dhe pasojat që rrjedhin nga keq menaxhimi i situatës nuk mund të durojnë më dhe për këtë shkak duhet të ndërmerren masa urgjente në këtë drejtim, me qëllim të përmirësimit të gjendjes!
“Paaftësia e Ministrisë së Shëndetësisë po paguhet me rritje konstante të numrit të të infektuarve! Është e pa tolerueshme që koha e shpalljes së rezultateve nga PCR testimet zgjat më shumë se dy ditë, nga çka për pasojë ndodh edhe detektimi i vonshëm i personave të infektuar e që për pasojë kemi rritje konstante të numrit të të infektuarve. Kjo në mënyrë të drejtpërdrejt e lidh me përgjegjësi Institutin për Shëndet publik dhe organet tjera nën kompetenca të Ministrisë së Shëndetësisë të cilat që nga fillimi i pandemisë kanë pas një detyrë, atë të detektimit të hershëm të personave të infektuar!” shkruhen në reagim.
Selmani nga Departamenti i Shëndetësisë në ASH, pyet publikisht ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe, “a është në dijeni se çka po ndodh në spitale ku duhet të trajtohen pacientët, a është i vetëdijshëm se spitalet po bëhen vatër e infeksionit në vend se të kurimit?!”.
Në reagim theksohet se Spitali “8 shtatori” ku pranohen pacientët me COVID-19, nuk ka kapacitet për pranimin e pacientëve dhe të njëjtët vendosen në korridore pa masa mbrojtëse dhe pa trajtim.
“Po humbim jetë njerëzish çdo ditë, derisa Ministria e Mbrojtjes humb kohë dhe mjete me montimin dhe çmontimin e çadrave! Kjo mbingarkesë po rrezikon shëndetin publik si edhe mjekët të cilët po kryejnë detyrat e tyre në kushte mizore, dhe pa asnjë shpërblim shtesë!” shkruhet në komunikatë.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që urgjentisht të bëhen testime masive dhe rezultatet e testimeve të shpallen më shpejtë. Nga ana tjetër thonë se duhet patjetër që pacientët e shtruar të marrin trajtimin e duhur duke u bërë sistematizimi i tyre në spitale ku ka vende të lira, madje për shkak të nevojës së madhe edhe të improvizohet në hapësira të përshtatshme për një gjë të tillë! Nga ASH shkruajnë po ashtu se sjellja e këtillë e qeverisë po ua mohon të drejtën për mjekim dhe trajtim të barabartë qytetarëve, e drejtë kjo që garantohet edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.