Serbia lejon abetaren mbarëshqiptare, në Maqedoni ende nuk lejohet për nxënësit shqiptarë BDI hesht
Nxënësit në Luginën e Preshevës tani e tutje do të mund të mësojnë me tekste shkollore në gjuhën shqipe.
Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, ka thënë se shqiptarëve në Serbi do t’u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, duke përfshi edhe abetaren e unifikuar mbarëshqiptare. Edhe pse është premtuar moti kohë, kjo abetare ende nuk lejohet për nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, edhe pse 10 vite e tepër postin e ministrit të arsimit e mbajnë ministra shqiptarë.
“Kemi filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, sepse besojmë fuqishëm që femijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim”, ka thënë Shahini, transmeton Tv 21.
Ndër të tjera, Shahini nënvizon faktin se “komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij”.
Njëkohësisht, nuk lë pa përgëzuar edhe Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj për angazhimin e tij dhe kontributin për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë.