LAJME

Sharri shpallet park nacional – VIDEO

Qeveria ka pranuar propozimin e Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor për shpalljen e Malit Sharr për zonë të mbrojtur në kategorinë park nacional si dhe shpalljen e Maleve të Osogovës për Zonë të kategorisë 5. Ministri Naser Nuredini tha se në periudhën në vijim do të mbahen debate publike në bazë të propozimeve të popullatës lokale si dhe te gjitha palëve të interesuara dhe pas harmonizimit të mendimeve dhe vërejtjeve do të përpilohen propozimet përfundimtare.

“Unë dëshiroj të informoj se me përputhje me procedurat ligjore për shpallje të zonave të mbrojtura në periudhën në vijim do të mbahen debate publike në bazë të propozimeve të popullatës lokale. Si dhe të gjithë palëve të interesuara. Pas harmonizimit të mendimeve dhe vërejtjeve do të përpilohen propozime përfundimtare për shpalljen e këtyre lokacioneve dhe do ti dërgohen Qeverisë për miratim”, tha Naser Nuredini, Ministër MMJPH.

Ai theksoi se statusi i mbrojtjes u përcaktua nga një ekip ekspertësh të cilët kanë bërë një studim për  valorizimin e  zonave, me çka është vërtetuar se ato përmbajnë nivel të lartë të vlerave biologjike dhe kulturore për ruajtjen e të cilave duhet të merren masa. Ministri tha se procedura për tu bërë park nacional Mali Sharr ka qenë shumë e gjatë.

“Kjo ka qenë një procedurë shumë e gjatë, 20 vjet janë munduar institucionet të arrijnë në këtë shkallë. Ky nuk është një premtim, por është vendim i Qeverisë e cila e vlerëson valorizimin e ekspertëve dhe te fillojnë procesin për shpallen park nacional”, tha Naser Nuredini, Ministër MMJPH.

Në vendin tonë tani kemi parqe nacionale, siç është parku nacional Pelister, ku popullata lokale në vazhdimësi zhvillon aktivitete. Ministri tha se shpallja e zonave të mbrojtura nuk nënkupton ndërprerje të të gjitha aktiviteteve, por aktivitete të kontrolluara, të planifikuara dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të pasurive natyrore.

LEAVE A RESPONSE