LAJME

Shkarkimi i Sulejman Rexhepit, Hoxha nga Gjermania: Jam krenar që asnjëherë se kam përkrahur “Sulën”, ky është Bajrami më i Madh (VIDEO)

Hoxha i mirënjohur nga Gjermania me prejardhje nga Shkupi, Benjamin Idrizi, në një prononcim për portalin Almakos ka komentuar ngjarjet e fundit që ndodhën në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut ku u shkarkua Reis Ulemaja, Sulejman Rexhepi dhe ushtrues detyre u zgjodh Shaqir Fetahu nga Gostivari.

Efendi Idrizi vlerëson se qysh në kohën e babait të tij, Hafiz Idrizit, Sulejman Rexhepi ka penguar aktivitetet e shumta islame.

“ Kam postuar në Facebook se jam krenar që është shkarkuar Sulejman Rexhepi, për shkak se ky i fundit ka penguar hoxhallarët që të merren me aktivitete islame. Mulla Sula qysh në kohën e babait tim ka qenë pengesë e vazhdueshme ndaj hoxhallarëve dhe aktivitetit islam. Ai ka uzurpuar BFI-në për dekada me radhë dhe tash është koha për ndryshime rrënjësore në BFI. BFI-ja është shumë me rëndësi për popullin shqiptar dhe me të duhet të udhëheq një njeri me kredibilitet moral. Me BFI-në duhet që të udhëheq një njeri që ka dije të thella nga jurisprudenca islame, që është i drejtë dhe i moralshëm.”, deklaroi Idrizi për Almakos.

Sipas Imamit, Benjamin Idrizi, kushtet që një hoxhë ose myfti të jetë në krye të Bashkësisë Islame nuk duhet të janë vetëm të natyrës së dijes shkencore dhe fetare, por edhe në aspektin moral. Nëse një hoxhë nuk posedon vlera të larta morale, nuk guxon që të pretendoje të jetë në krye të BFI-së.

“ Populli mysliman në Maqedoni është i njohur në rajon se është më i devotshmi, prandaj meriton një Reis i cili ka virtyte të larta morale dhe shkencore. Kryetar i Bashkësisë Islame nuk duhet të jetë një person që ka vetëm dije, por edhe që ka moral të lartë islam dhe që do të jetë shembull edhe për të tjerët. Mulla Sula ka qenë turp i hoxhallarëve dhe shembulli më i keq i besimtarëve mysliman përmes skandaleve të shumta që iu janë bë publike me vite të tëra. Një person që të udhëheq me BFI-në, duhet që të njoh mirë parimet islame, të praktikoje ato dhe të jetë në vijë të vazhdueshme me hoxhallarët e më hershëm që me xhelozi kanë ruajtur dhe bartur mesazhin e Islamit tek populli ynë. Akti i shkarkimit të Mulla Sulës është akti më patriotik që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit në BFI, duke uruar që në këtë institucion të kemi reforma rrënjësore dhe përsëri populli shqiptar dhe mysliman në Maqedoninë e Veriut të ketë mundësi të përfitoje nga vlerat që bartë me shekuj ky institucion.”, deklaroi Idrizi për Almakos.

Përndryshe, sot në një mbledhje të jashtëzakonshme që u mbajt në hapësirat e BFI-së, në mënyrë unanime u shkarkua Reis Ulemaja, Sulejman Rexhepi dhe u zgjodh ushtruesi i detyrës Reis Ulema, myftiu i deritanishëm i Myftinisë së Gostivarit, Shaqir efendi Fetahu. Lajmi për shkarkimin e Sulejman Rexhepit mori dhenë, ndërsa këtij akti i parapriu lajmi ende i paverifikuar për martesën e Sulejman Rexhepit me një vajzë 50 vjet më të re se ai./Almakos/

LEAVE A RESPONSE