LAJME

Shqetësuese situata në zonat shqiptare në RMV, bie ndjeshëm numri i nxënësve

Oborret e shkollave këtë vit mbetën pa zhurmën e fëmijëve gjatë regjistrimit të filloristëve të klasës së parë. Një nxënës me një prind, në çdo gjysmë orë, sipas protokollit të paraparë për mbrojtje nga COVID 19, ashtu filloi regjistrimi i nxënësve të klasës së parë në komunat e Pollogut.

Por, shqetësuese nuk paraqitet vetëm gjendja e përballjes me koronavirusin, shqetësuese paraqitet edhe gjendja me dukurinë e migrimit të popullsisë nga këto vendbanime të banuara me shqiptarë, shkruan in7.

Kështu duke investiguar të dhënat e personave që kanë lindur në komunën e Tearcës në vitin 2014 dhe fëmijëve të regjistruar në klasë të parë shihet qartë se numri është i përgjysmuar.

Sh.f. “Faik Konica” në fshatin Dobrosht të Komunës së Tearcës në listë për t’u regjistruar në klasë të parë kanë qenë gjithsej 79 fëmijë të lindur në vitin 2014,  të regjistruar janë 34 fëmijë, ndërkaq në mësim në gjuhën maqedonase në këtë fshat në listë kanë qenë 6 fëmijë, të regjistruar janë 5 fëmijë. E njëjta shkollë që gjendet në fshatin Ohër në listë kanë qenë gjithsej 23 fëmijë të regjistruar janë 16, që të gjithë me mësim në gjuhën shqipe.

Situata paraqitet e njëjtë edhe në fshatin Gllogjë ku mësimin e vijojnë fëmijë nga dy fshatra, Gllogjë dhe Përshefcë, ku nga gjithsej 55 fëmijë shqiptarë, vetëm 27 janë të regjistruar në klasë të parë, poashtu edhe tek popullata maqedonase që jeton në fshatin Gllogjë, nga 6 fëmijë sa janë në listë, vetëm 3 janë regjistruar.

Në fshatin Nerasht të po kësaj komune, në shkollën fillore “Ismail Qemali”, nga gjithsej 89 fëmijë të lindur në vitin 2014, në klasë të parë janë regjistruar 40 fëmijë, që të gjithë më mësim në gjuhën shqipe.

Në fshatin Tearcë, ku mësimi zhvillohet në tre gjuhë, nga 65 fëmijë shqiptarë, janë regjistruar 30, maqedonas nga 5, që janë në listë 3 janë të regjistruar, kurse në listën e fëmijëve që mësimin duhet ta vijojnë në gjuhën turke nga 4, të regjistruar janë të gjithë, pra 4 fëmijë.

Në fshatin Sllatinë, të kësaj komune, në sh.f. “Eqrem Çabej”, të regjistruar janë 48 nxënës nga gjithsej 77 fëmijë të përkatësisë etnike shqiptare. Në fshatin Neproshten situata paraqitet pak në relaksuese, kështu nga gjithsej 18 fëmijë të përkatësisë etnike shqiptare, të regjistruar rezultojnë 12 nxënës, kurse më mësim në gjuhën maqedonase nga 2 që janë në listë, të regjistruar kemi vetëm 1 nxënës.

Nga Komuna e Tearcës thonë që, kjo dukuri paraqitet në vazhdimësi, si për nga numri i vogël i lindjeve, poashtu edhe nga migrimi, duke shtuar se ndoshta këto numra do të ndryshojnë, pasi regjistrimi përfundon më 30 qershor, përcjell in7.

Në një situatë të tillë gjendja paraqitet edhe në Komunën e Bërvenicës, sipas informacioneve që vijnë nga kjo komunë nga gjithsej 351 fëmijë që janë në listë për t’u regjistruar në klasë të parë, deri më tani janë regjistruar 135, duke shtuar se regjistrimi është në vazhdim, përcjell in7.

Situata qëndron e tillë edhe në Komunën e Bogovinës ku nga 627 sa janë në listën për regjistrim, 216 janë regjistruar, pra pothaujse në të gjithë vendet kemi një përgjysmim të numrit e që kjo është shqetësuese.

E gjithë kjo situatë, sipas drejtuesëve të shkollave, vjen për shkak të migrimit të madh të qytetarëve, sidomos në vitet e fundit.

Pjesa më e madhe janë larguar në vendet evropiane, kryesisht në Gjermani, por ka edhe nga ata që kanë ikur nga fshatrat në qytet./in7.tv/

LEAVE A RESPONSE