Komuna e Prishtinës është vatra e dytë më e madhe me koronavirus në Kosovë pasi vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 46 raste të reja.
Kryeqyteti i Kosovës në këtë mënyrë, pas Vushtrrisë, ka më së shumti të prekur me COVID-19, gjithsej 173 raste, prej tyre tre të vdekur.
Rritja e numrit të rasteve për një ditë në nivel vendi, 129 sosh, vjen pas lehtësimit të masave të institucioneve shëndetësore kundër përhapjes së infeksionit që tashmë ka prekur pothuajse të gjithë botën.
Për vetëm pak ditë të qershorit janë shënuar më shumë raste se gjatë gjithë muajit maj, kur ky numër kishte shënuar rënie të lehtë.
IKSHPK thotë se e gjithë kjo vjen si pasojë e mos mbajtjes së distancës dhe maskave, andaj edhe një herë apelon për zbatimin e rekomandimeve në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin.
Sipas IKSHPK-së, shtimi i rasteve tregon për përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit, si dhe mbingarkimit të institucioneve shëndetësore, ku personat me sëmundje shoqëruese dhe të moshuarit mund të përfundojnë fatalisht.
“Kjo ndodhë për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve, përfshirjes të njerëzve të moshave të ndjeshme të moshuara, për shkak të përfshirjes së njerëzve me sëmundje kronike të cilët nuk janë të mbrojtur, sepse fatkeqësisht për këtë sëmundje ende nuk ka terapi dhe parandalim me vaksinë dhe e vetmja mundësi e parandalimit është përmbajtja e rekomandimeve”, thekson IKSHPK.
Për më tepër, IKSHPK kërkon nga inspektoratet sanitare të AUV dhe inspektoratet komunale të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”, thuhet në komunikatë.