Ushtruesi i detyrës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka nënshkruar vendim për shkarkimin e kryeshefes së IPK-së, Miradije Kelmendi.
Sfeçla ka pohuar se këtë vendim e ka marrë pas gjetjeve nga dy raporte, transmeton Telegrafi.
“Sot kam nënshkruar vendimin për shkarkimin nga detyra e Kryeshefes së Inspektoratit Policor të Kosovës, znj. Miradije Kelmendi. Ky vendim erdhi pas analizës së gjetjeve nga dy raporte: Raporti me rekomandime për Mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018. Po ashtu kam marrë parasysh edhe letrën e rekomandimeve nga Avokati i Popullit Nr. 683/2019 lidhur me çështjen ‘Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës’. Në këto raporte konstatohen shkelje të ndryshme në menaxhimin e IPK-së dhe mes tjerash edhe rekomandohet shkarkimi i znj. Kelmendi”, ka shkruar Sfeçla.
Ai ka thënë se gjetjet e raporteve e bëjnë të domosdoshëm shkarkimin.
“Në krye të institucioneve na duhen njerëz që respektojnë ligjin dhe iu garantojnë qytetarëve transparencë të plotë, shërbim profesional e mbrojtje. E kjo është edhe më e rëndësishme kur flasim për drejtuesit në institucionet e rendit publik e ata të Policisë së Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë, duke mbajtur përgjegjësi maksimale dhe duke mos lejuar shkeljet, e forcojmë shtetin”./Telegrafi/