LAJME

TAKIMET E HYSENIT NË UASHINTON CILËSOHEN JOTRANSPARENTE DHE JOLEGJITIME

Koordinatori Shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, këtë të shtunë ka udhëtuar për në Uashington, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, me qëllim të koordinimit rreth procesit të këtij dialogu.

Në lidhje me këtë takim kanë reaguar nga partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe ajo e koalicionit me LDK-në, Aleanca për Ardhmëri të Kosovës. Nga këto dy subjekte politike thonë se nuk e dinë se cilat janë temat që do të diskutohen në këtë takim.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se, pos që nuk do ta mbështesin Hysenin në këtë proces, ai nuk e ka as legjitimitetin e popullit, marrë parasysh që në të kaluarën, sipas saj, ka qenë pjesë e shumë marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.

“Rrëzimi i qeverisë Kurti dhe përmbysja e vullnetit të 6 tetorit tregon qartë se Hoti e Hyseni janë pjesë e projekteve të rrezikshme të presidentit Thaçi.

Këta që në fillim i kanë zbatuar kërkesat e Serbisë duke hequr reciprocitetin dhe duke hequr dorë nga anëtarësimet në organizmat ndërkombëtar. Këto janë premisat e një pazari të keq. Ndërkohë janë mbajtur disa seanca ku z.Hoti lëre që nuk ka as mbështjetje as platformë e nuk ka krijuar as unitet, por nuk ka treguar as më të voglën fjalë se çfarë po bisedohet në këto negociata”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Përderisa nga AAK-ja kanë thënë se janë informuar përmes mediave rreth këtij udhëtimi të Hysenit.

Nga ana tjetër, analistët thonë se kjo qeveri nuk e ka legjitimitetin për t’i vazhduar negociatat me Serbinë dhe se nuk e ka përkrahjen e popullit.

Sipas Krenar Shalës, Kosova duhet të ketë një qeveri të re dhe ta përfundojë dialogun me Serbinë.

Përderisa, nga organizata PIPS janë shprehur se përfshirja e SHBA-së në bisedimet Kosovë-Serbi është lajm i mirë për vendin.

“Është hapi i parë nga Shtëpia e Bardhë pas prishjes së samitit të 27 korrikut. Mbetet të shihet a do t’u dhurojë SHBA-ja mbështetje të plotë bisedimeve të udhëhequra nga Lajçak, apo do të ketë edhe një tentativë për t’u inkuadruar në proces si lehtësues”, ka thënë për Kohën, Leonora Kryeziu, drejtoreshë e kësaj organizate.

Hyseni para nisjes tha se në Bruksel po zhvillohen negociata të vështira për elementet e marrëveshjes finale e cila, sipas tij, ka për synim njohjen reciproke me Serbinë.

Ndryshe, të enjten në Bruksel ai zhvilloi një raund tjetër bisedimesh me Serbinë në nivel ekspertësh.

Skënder Hyseni, i cili është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar koordinator shtetëror për dialogun e Kosovës me Serbinë më 21 korrik. /Insajderi.com/

LEAVE A RESPONSE