Thaçi: Javën tjetër do të ndërmarr hapat e fundit për të mundësuar formimin e një Qeverie të re

Posted by

President i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se në javën tjetër do të ndërmerr hapat për formimin e Qeverisë së re.

Përmes Twitter-it, ka theksuar se tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën.

Më tej u shpreh se qeveria e ardhshme duhet të jetë e aftë për të luftuar Covid-19 dhe për ti shërbyer popullit.

“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, i aftë për të luftuar # COVID19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA dhe BE për Kosovën”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkaq, të premten Thaçi, për herë të katërt me radhë ia ka kërkuar Kurtit emrin e mandatarit për kryeministër.

Në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, presidenti Thaçi edhe një herë i ka kërkuar Kurtit që ta dërgojnë emrin e kandidatit/es për Kryeministër pa humbur kohë.

“Përkundër kërkesave të dërguara më 2 prill 2020 (Ref. 354), më 10 prill 2020 (Ref. 354/1) dhe më 15 prill 2020 (Ref. 370/1), edhe në shkresën tuaj të dërguar më 17 prill 2020 (Ref. 122/2020), ju nuk keni propozuar kandidatin/en për Kryeministër, por keni theksuar se nuk jeni duke refuzuar për të propozuar kandidatin për kryeministër.

Më lejoni t’ua theksoj se mosrefuzimi nga ana juaj nënkupton që ta dërgoni emrin e kandidatit/es për Kryeministër. Por, ju nuk e keni bërë ende këtë, përkundër faktit që ua kam dërguar tri kërkesa për këtë qëllim”, ka shkruar në letrën e tij presidenti Thaçi.

Ndaj kësaj në DebatPlus, Kurti ka thënë se nuk pranon takim me Thaçin pos zgjedhjeve dhe luftimit të pandemisë.

Kurti, duke folur për situatën aktuale politike ne vend ka thënë se ka zbrazëtirë kushtetuese sa i përket mandatarit të qeverisë.

“Këtë zbrazëtirë kushtetuese nuk mund ta mbush Presidenti”, tha ai, përcjell Telegrafi.

I pari i Vetëvendosjes thotë se vet Presidenti e di që nuk ka të drejtë në kërkesën e tij që kjo parti t’ia dërgoj medoemos emrin e mandatarit.

Kurti ka theksuar se është i gatshëm të bisedojë me Presidentin për çështjen e pandemisë dhe për zgjedhje të parakohshme në çdo kohë. /Telegrafi/

Leave a Reply