Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pret që në Shtëpinë e Bardhë të hapet një kapitull i ri për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Para takimit të 27 qershorit në Washington, Thaçi ka theksuar se Kosova ka bazë Kushtetutën e vendit.
“Do të jetë një takim jo i lehtë, i vështirë. Si delegacion i Kosovës do të jemi unik”, ka thënë Thaçi, për RTK.
“Unë shpresoj se do të arrijmë më tepër seç presin skeptikët. Takimi do të jetë me vështirësi, do të jetë shumë i rëndë, sepse Serbia, për fat të keq, ende vazhdon të shikojë nga e kaluara dhe pak të fokusohet për të ardhmen. Mandej e shikojnë Kosovën në aspektin e mitit dhe historisë së rrejshme dhe jo në realitetin e Kosovës së pavarur e sovrane. Megjithëse institucionet dhe liderët në Serbi e dinë se Kosova është vend i lirë e i pavarur dhe se kjo gjë është e pakthyeshme”, ka thënë Thaçi.
Tutje ai ka thënë se Kosova nuk zgjedh mes Washingtonit dhe Brukselit ndërsa beson që gjërat do të lëvizin dhe do të jetë një mundësi e madhe për të dyja vendet.