Thaçi viziton mjekët e QKUK-së, thotë se do ta kenë mbështetjen e institucioneve

Posted by

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për t’u njoftuar nga afër lidhur me situatën pandemike me COVID-19, në vend.

Presidenti Thaçi në një bisedë me mjekët e këtij institucioni ka thënë që mjekët do ta kenë mbështetjen maksimale të shtetit.

Sipas tij, mjekët e QKUK-së për punën që janë duke kryer janë shembull i rajonit dhe më gjerë.

“Ju përgëzoj për punën e shkëlqyer, sepse ka qenë dhe vazhdon të jetë një betejë e madhe. E jona është që e keni mbështetjen maksimale. Dua t’i shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve që kanë humbur të afërmit e tyre nga ky virus si dhe shërim të gjithë pacientëve. Puna e juaj ka bërë që të ketë sukses në këtë drejtim. E di që keni qenë shembull për rajonin e më gjerë. Keni marr veprime të sakta, të shpejta dhe precize. Ky është një mobilizim shumë i madh i gjithë njerëzve dhe i gjithë stafit këtu dhe gjithashtu edhe në nivel lokal. Ne gjithashtu kemi biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti si dhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj” ka thënë Thaçi.

Presidenti tutje shtoi se me energjinë dhe dijen e mjekëve si dhe me disiplinën qytetare, Kosova do ta kaloj me lehtësi këtë situatë pandemike, përcjell Telegrafi.

“Po përballemi me një fenomen jo të lehtë që e ka përfshirë krejt botën. Kam besim të plotë në forcën, dijen dhe energjinë tuaj, po ashtu edhe në disiplinën qytetare që ta tejkalojmë sa më mirë dhe më lehtë. Të marrim masat e nevojshme si shtet, si institucione”, ka thënë ndër të tjera presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Shërbimit Spitalor Klinikë Universitarë të Kosovës (ShSKUK) Valbon Krasniqi gjatë këtij takimi me presidentin Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se në dispozicion të pacientëve me COVID-19 janë dikur rreth 750 shtretër.

“Kemi vënë rreth 750 shtretër në dispozicion të pacientëve me COVID-19, në spitalet rajonale dhe klinikat e QKUK, dje kemi angazhuar një numër të madh të personelit shëndetësorë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se sot janë duke u trajtuar rreth 600 pacientë në Klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale. Krasniqi shtoi se gjendja e disa prej tyre është e rëndë.

“Rreth 600 pacientë të shtrire  i kemi në Klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale qoftë të dyshuar ose konfirmuar me COVID-19, 40 pacientë janë me aparate respiratorë, dhe mbi 300 që janë në trajtim me oksigjeno terapi”, shtoi Krasniqi.

Krasniqi theksoi se nga ky numër rreth 270 pacientë janë të shtrirë në Klinikat e QKUK-së, dhe mbi 330 në spitalet rajonale.

Ai kërkoi përkushtim dhe vëmendje të institucioneve ndaj stafit shëndetësorë dhe pacientëve. /Telegrafi/

Leave a Reply