Nënkryetari i PDK-së dhe kryetari i degës në Prizren, Shaqir Totaj ka reaguar pas vdekjes së 26’vjecarit nga Gjilani. Ai ka thënë se një ngjarje e tillë është turp për institucionet, raporton Gazeta Express.
Totaj ka deklaruar se sa ishte në pushtet Vetëvendosje e kishte shfrytëzuar çdo tragjedi.
Ai ka përmendur vdekjen tragjike të një vajze të mitur në Prizren në vitin 2016 kur VV-ja e shoqëria civile kishte organizuar protesta.
“Në vitin 2016, në Prizren, një vajzë e mitur kishte gjetur vdekjen nga shembja e një muri të një shtëpi të vjetër në zonën historike të qytetit. Megjithëse ajo pjesë e murit ishte e rrethuar me pengesa, kjo nuk pengoi të ngriten i madh dhe i vogël në Vetëvendosje për përgjejgësi të komunës dhe dorëheqje të kryetarit të atëhershëm. Pas VV-së, organizata të shoqërisë civile e analistë organizuan protesta për dorëheqjen. Kërkoheshin koka për këtë tragjedi”, ka shkruar ai.
Ky është postimi i plotë i tij:
E dhimbshme dhe tronditëse vdekja e të riut 26 vjeçar nga Gjilani derisa mbahej me vendim të shtetit në karantinë. Një ngjarje e rëndë për familjen por një turp për institucionet që mbyllën sytë dhe u bën të shurdhër ndaj situatës së tij.
Asnjëherë nuk kam qenë për t’i politizuar rastet tragjike, nga kushdo qoftë dhe për asnjë arsye. Por, e kaluara na tregon dicka tjetër. Dhe për ironi, në pushtet është Lëvizja Vetëvendosje e cila dikur fatkeqësisht u ngrit mbi dhunën dhe shfryëzoi çdo tragjedi. Ajo e përqafoi një politikë nekrofilike.
Në vitin 2016, në Prizren, një vajzë e mitur kishte gjetur vdekjen nga shembja e një muri të një shtëpi të vjetër në zonën historike të qytetit. Megjithëse ajo pjesë e murit ishte e rrethuar me pengesa, kjo nuk pengoi të ngriten i madh dhe i vogël në Vetëvendosje për përgjejgësi të komunës dhe dorëheqje të kryetarit të atëhershëm. Pas VV-së, organizata të shoqërisë civile e analistë organizuan protesta për dorëheqjen. Kërkoheshin koka për këtë tragjedi!
Dhe ku jemi sot? Të njëjtit njerëz që u ngritën mbi dhunën dhe politikën nekrofilike po kërkojnë të heshtim. Po kërkojnë të mos politizohet. Por edhe nëse ne do të heshtim – nuk duhet të hesht drejtësia. Ajo duhet të vihet në vend. Nuk do të hesht babai dhe familja e të riut që nuk jeton më!

