LAJME

Vdekja e të riut nga Gjilani, PDK kërkon dorëheqjen e ministrave Vitia dhe Sveçla

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar dorëheqjen e ministrit në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia dhe ushtruesit të detyrës së ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, pasi sipas kësaj partie, ata janë përgjegjësit kryesorë të vetëvrasjes së djeshme të një 26-vjeçarit në Prishtinë.

Nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili në një konferencë për media tha se vdekja e të riut nga Gjilani në Qendrën e Studentëve, e cila po përdoret si karantinë nuk duhet të heshtet dhe të fshihet. Për këtë kërkoi hetim të plotë nga organet kompetente.

“Vdekja e Agonit assesi nuk duhet të heshtet dhe nuk duhet të fshihet. Ky rast duhet të zbardhet nga organet e drejtësisë, urgjentisht dhe plotësisht. Të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të japin llogari sa më parë. Agoni ishte në përkujdesjen e shtetit, këtu nuk ka dilemë. Të gjithë ata që me veprimet ose mosveprimet e tyre krijuan kushte që ky i ri t’i japë fund jetës në karantinë. Duhet të japin përgjegjësi duke qenë se i ndjeri ishte në përkujdesjen e institucionet shtetërore”, tha Ismaili.

Sipas tij, tendencat për shfajësim të ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Shëndetësisë janë rëndim i situatës për familjen e të ndjerit dhe vetë Kosovës.

“Tendencat për shfajësim me arsyetimit për t’i ikur përgjegjësisë janë rëndim i mëtutjeshëm për familjen, ofendim i dhimbjes së tyre dhe dështim për Kosovën. Kjo nuk guxon të ndodhë. Sot më e pakta që duhej të ndodhte është dorëheqja e ministrave Xhelal Sveçla dhe Arben Vitia, si një akt moral. Kjo konsiderohet domosdoshmëri dhe nuk ka hamendje”, tha ai.

Krahas kësaj, Ismaili tha se nuk po bëhet trajtimi i barabartë në qendrën e vendosur si karantinë, pasi sipas tij, ata që kanë afërsi me pushtetit po iu lejohet dalja nga aty.

I pyetur nëse do të dorëhiqej sikur të ishte në pozitën e Arben Vitisë, Ismaili tha se pa dyshim do ta bënte një gjë të tillë.

Ndryshe, Agon Musliu ka vdekur dje pasi kërceu nga kati i pestë i Qendrës së Studentëve, e cila shërben si karantinë, pasi më herët kishte kërkuar të vetizolohej për shkak të problemeve shëndetësore, por një gjë e tillë ishte refuzuar. /Telegrafi/

LEAVE A RESPONSE