LAJME

“Veç për qejf”, arsyeja e Thaçit për shkuarjen në Shqipëri – ka një përgjigje edhe për Kurtin

Presidenti Hashim Thaçi për thirrjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në një përballje televizive tha se këtë e ka zhvilluar që 20 vjet dhe se humbës ka qenë Kurti.

“Jam president i vendit dhe debatet televizive i kam zhvilluar 20 vjet përballë oponentëve politikë dhe rezultatet dihen që kanë qenë humbje spektakolare për zotëriun”.

Ndërsa sa i përket dyshimit që ngriti u.d ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se ai ka sjellë deputetin Behgjet Pacolli, Thaçi tha se pyetja duhet t’i bëhet vetë Pacollit.

“Secili deputet e ka emrin dhe mbiemrin, si dhe e ka adresën. Bëni pyetje atyre sepse s’flas në emër të deputetëve e as të Kuvendit, as të Qeverisë. Unë flas në emër të presidencës dhe të sigurimit të garantimit të funksionimit demokratik. Kërcënimet dhe shantazhet ndaj deputetëve nga grupi që kanë mbetur në Qeveri duhet t’i ndalin”.

Për arsyen e vizitës në Shqipëri, Thaçi e pati një përgjigje të shkurtë.

“Veç për qejf”.

Pasi e dekretoi të nominuarin për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti, Thaçi tha se duhet respektuar kjo procedurë edhe nga Qeveria në detyrë.

“Të gjithë ne si zyrtarë dhe politikanë duhet të respektojmë në tërësi këto procedura dhe të pajtohemi me faktin që pushteti fitohet dhe humbet në respektimi të plotë të Kushtetutës. Pakkush do të mund të pretendojë që me metoda të tjera jodemokratike mund ta merr, ta mbajë apo uzurpojë pushtetin”.

LEAVE A RESPONSE