Lëvizja Vetëvendosje e ka parë shqetësuese deklaratën Avdullah Hoti, për zbatimin e marrëveshjes së arritur kohë më parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, prandaj deputetët e këtij subjekti e kanë thirrur në raportim kryeministrin e Kosovës, njofton Insajderi.
“Sot, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarë të Komisionit për Legjislacion kanë dorëzuar kërkesën për të ftuar në raportim para komisionit Avdullah Hotin lidhur me deklarimet e tij se do të zbatohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përkundër se Gjykata Kushtetuese kishte gjetur dhe konstatuar se kjo marrëveshje bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 23 nene”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes për këtë kërkesë të deputetëve të saj.
Hoti ka thënë të enjten gjatë një debati në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian se Kosova do ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë Asociacion dhe ne nuk po mundohemi në asnjë mënyrë që t’i ikim asaj marrëveshjeje, ne do ta respektojmë plotësisht atë, por jemi pajtuar që të punojmë së bashku që të arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, ku përfshihet edhe Asociacioni dhe çështje tjera”, ka deklaruar ai.
Sipas Vetëvendosjes, ky qëndrim i Hotit “duke shpërfillur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është tendencë për ta vënë marrëveshjen për ‘Zajdenicën’ mbi Kushtetutën dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Politikisht kjo marrëveshje bosnjëzon Kosovën dhe vendosë konditat për ndarje dhe defunksionalizim të shtetit të Kosovës, kurse në kuptimin kushtetues rrënon rendin kushtetues”.
“Avdullah Hoti nuk mund t’i imponojë Kosovës dhe popullit të saj një projekt kundërkushtetues dhe që rrënon mundësinë për një shtet unitar dhe funksional”.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në Aktgjykimin KO130/15, të datës 23 dhjetor 2015, ka konstatuar se Parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk janë në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës dhe barazinë para ligjit./Insajderi.com