Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media është pyetur për të ardhmen e saj politike në Lidhjen Demokratike të Kosovës ku është nënkryetare
Osmani tha se siç është shprehur edhe më herët, të ardhmen e saj politike e përcaktojnë vetëm qytetarët e Republikës së Kosovës.
“E kam thënë edhe më herët, të ardhmen time politike gjithnjë e kanë përcaktuar dhe do ta përcaktojnë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Osmani.
Ndërkaq e pyetur për paralajmërimet e kreut të LDK’së, Isa Mustafa, ku kishte thënë se mund të ketë veprime nga organet e partisë, sa i përket pozicionit të Osmanit në LDK, pasi ajo si kryetare e Kuvendit nuk mori pjesë në seancën ku Avdullah Hoti u votua për kryeministër, Osmani tha se qëndrimet e veta nuk ka nevojë t’i koordinojë me askënd.
“Edhe zoti Mustafa edhe secili politikan në Kosovë e di një gjë shumë mirë, unë nuk kam nevojë të koordinohem me askënd për qëndrimet që i mbaj. Në fakt, më mirë se kushdo qoftë këtë do duhej ta dinte z.Mustafa. Unë i kam qëndrimet e mia që burojnë nga puna ime me kolegë, me njerëz që vërtetë e duan LDK’në, që vërtetë e duan Kosovën, në këto dy dekada, këto qëndrime gjithmonë kanë qenë të njëjta”, tha Osmani.
Ajo tha se po iu qëndron prapa qëndrimeve me të cilat ka marrë besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Unë sërish i sfidoj, le të më tregojnë se cilin qëndrim që e kam mbajtur para tetorit, me 6 tetor dhe pas 6 tetorit ka ndryshuar? Kanë qenë qëndrimet e njëjta, me të cilin e kemi marrë besimin qytetar”, deklaroi Osmani.