Zyra e Grenellit deklaron se po pritet vetëm Qeveria e re e Kosovës për t’iu rikthyer negociatave. Sipas analistit gjerman Bodo Weber, edhe zgjedhjet e qershorit në Serbi, mund të jenë një nga arsyet e vonimit të dialogut deri në gusht. Megjithatë, sipas analistit gjerman, Grenell synon që marrëveshja të arrihet para nëntorit për disa arsye.
Përveç në Kosovë, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese po pritet edhe nga emisari i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, zyra e të cilit ka thënë për Gazetën Express se dialogu do të rinisë sapo të formohet Qeveria e re në Kosovë.
Kushtetuesja po e trajton çështjen e mandatarit për formimin e Qeverisë, e aktgjykimi pritet të dalë deri më 29 maj. Nga ai varet fati i formimit të Qeverisë, të cilën po e pret Grenell.
Nga ana tjetër, në Serbi më 21 qershor do të mbahen zgjedhjet parlamentare, në të cilat garon edhe partia e Presidentit të atjeshëm Aleksandër Vuçiq. Analisti gjerman, Bodo Weber, thotë se këto zgjedhje janë një nga arsyet që, sipas tij vonojnë rinisjen e dialogut Kosovë – Serbi.
“Nuk jam i sigurt nëse Zyra e z. Grenell e pati specifikisht për rezultatin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që pritet këtë javë, kur iu referua formimit të qeverisë. Unë do të thosha të presim për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje të ngatërruar”.
“Çka do që të jetë, nëse dikush llogarit të gjithë rrethanat që ndikojnë në dialog – zgjidhja e votimit të mosbesimit, zgjedhjet në Serbi dhe masat ekzistuese për udhëtimet ndërkombëtare, për të mos folur për mosmarrëveshjet transatlantike mbi atë se kush e udhëheq dialogun – nuk e di se si do të mund të rinisnin bisedimet para gushtit”, ka
Zyra e Grenellit ka thënë javën e kaluar se nuk do ka të caktuar ndonjë afat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. Weber thotë se nuk mund ta dijë nëse ka afat, por ai beson se Grenell do të provojë që t’i vinte fundit të bisedimeve mes dy shteteve para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.
“Nuk ka [afat të fundit për marrëveshje], por do të isha vërtetë i befasuar nëse Grenell nuk do të synonte të arrihet një marrëveshje para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA, sepse kush e di ku do të jetë Ballkani, Amerika dhe personalisht z. Grenell pas nëntorit”, ka thënë analisti gjerman.
Sipas Weberit, një marrëveshje e shpejtë – brenda muajve – do të mund të arrihej vetëm nëse do të përmbante shkëmbimin e territoreve.
“Por, për që të arrihet një marrëveshje “përfundimtare” këtë vit, para nëntorit, këtu është vetëm një mundësi – ajo që Grenell insiston vazhdimisht se nuk bisedon për të: një marrëveshje e shpejtë dhe false mbi shkëmbimin e territoreve. Edhe nëse një marrëveshje e tillë duhet të arrihet, atje, ajo kurrë nuk do të mund të zbatohet. Përkundrazi, do të çonte në destabilizim serioz të Kosovës, Serbisë dhe më gjerë në rajon”, ka thënë Grenell.
Zyra e Grenellit ka konfirmuar gjatë fundjavës, se ai, edhe pse po largohet nga pozita e ambasadorit të SHBA’së në Gjermani, do të mbetet i angazhuar në dialogun Kosovë – Serbi.
“Ambasadori Grenell mbetet si emisar i Presidentit, dhe ai po shikon të vazhdojë dialogun sapo të përcaktohet formimi i Qeverisë së re të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Zyrës së Grenellit, Dick Custin, për Gazëtën Express.
Ndryshe, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka pushuar nga nëntori i vitit 2018, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifën ndaj produkteve serbe.
Kjo tarifë është hequr nga Qeveria e Albin Kurtit, për t’u zëvendësuar me reciprocitetin ndaj Serbisë, të cilën e ka kundërshtuar fuqishëm ambasadori Grenell.
Qeveria e Kurtit u rrëzua me mocion të partnerit qeveritar, LDK’së, me arsyen kryesore “rrezikimin e raporteve me Amerikën”, për shkak të mosbindjes së Kryeministrit ndaj ambasadorit Grenell, i cili ka marrë në dorë ndërmjetësimin mes Kosovës e Serbisë. /Express/