Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate ka thënë sot se rasti i 26 vjeçarit nga Gjilani është tragjike për shoqërinë dhe shtetin në përgjithësi, ndërsa sipas tij shfrytëzimi i këtij rasti për të qëruar hesape politike është tejet i dëmshëm e jonjerëzor.
Sipas Ymerit, të thuhet se po të ishte në opozitë Vetëvendosje do ta shfrytëzonte të njëjtin rast për të njëjtën luftë politike, edhe nëse është i saktë, është i paqëndrueshëm.
Lexoni të plotë postimin e Ymerit në Facebook:
Vetëvrasja e Agon Musliut është tragjike, së pari për familjen e pastaj për shoqërinë e shtetin në përgjithësi. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu dhe shokëve e të dashurve të Agonit.
Duhet urgjentisht që të hetohen të gjitha rrethanat dhe të adresohen përgjegjësitë eventuale institucionale në këtë rast.
Shfrytëzimi i këtij rasti për të qëruar hesape politike është tejet i dëmshëm e jo njerëzorë. Të thuhet se po të ishte në opozitë VETËVENDOSJE! do ta shfrytëzonte të njëjtin rast për të njëjtën luftë politike, edhe nëse është i saktë, është i paqëndrueshëm. Diçka që është e palejueshme të përdoret në luftën politike, do të duhej të ishte e tillë në secilën situatë e jo në raste selektive. Nëse pushteti i sotëm po bëhet i njëjtë me atë të djeshmin, atëherë ç’kuptim ka që opozita e sotme të bëhet sikur ajo e djeshmja. Nëse vazhdojmë kështu atëherë vendnumërojmë.
Pushteti aktual nuk duhet në asnjë mënyrë të vazhdojë me arrogancën tipike të tij duke e vlerësuar punën e tij, e veçanërisht menaxhimin e pandemisë, sikur të përsosur. Ka pasur elemente të mira në këtë menaxhim. Por ja që rrethanat ta kushtëzojnë që t’i rimendosh masat e caktuara dhe dobishmërinë e tyre, siç është ta zëmë nevoja për vazhdimin e karantinës në objektet e konvikteve të studentëve.
Masat rigoroze të mbylljes edhe pse kanë treguar sukses në mbajtjen e numrit të të infektuarve të ulët, kanë shkaktuar rëndesa të mëdha ekonomike por edhe psikologjike te qytetarët. Të gjithë faktorët duhen marrë parasysh kur shqyrtohet ndërprerja ose vazhdimi i këtyre masave. Si dhe, duke e ditur që në këtë situatë as nuk do t’i fitojmë e as humbim të gjitha, duhet kërkuar mesi i artë i balancimit të këtyre te dyjave.
Nuk bën të lejojmë që vetëkënaqësia e pushtetarëve të na shndërrohet në fatalitet për qytetarët. /Telegrafi/