LAJME

Zemaj: Mund të ketë valë të dytë të pandemisë në shtator ose tetor

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar sot Komunën e Prishtinës, ku u prit nga kryetari Shpend Ahmeti.

Zemaj pas takimit që zhvilloi me Ahmetin, deklaroi se mund të ketë një valë të dytë të pandemisë COVID-19, në vjeshtë, transmeton Telegrafi.

“Mund të ketë një valë të dytë në shtator ose tetor, por ne të gjithë duhet të jemi të përgatitur, edhe institucionet tona dhe ky është qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë. Iu bëjmë ftesë që të keni kujdes, të mbani maskat e distancën. Do të kalojmë në testime masive”, deklaroi Zemaj para mediave.

Kurse, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, theksoi se përkundër rritjeve të rasteve me virus, punëtorët shëndetësorë po bëjnë një punë të mrekullueshme.

“Ne do të vazhdojmë t’i kryejmë detyrat tona si Komunë e Prishtinës. Me Zemajn diskutuam disa pika që ia kemi rekomandua IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për menaxhimin e virusit”, pohoi ai./Telegrafi/

LEAVE A RESPONSE