Zyberi thirrje partive shqiptare: Vëllezër na u bashkoni, do të jem Kryeministri i parë shqiptar!
Kandidati për kryeministër shqiptar, i nominuar nga BDI-ja, Naser Zyberi, para banorëve të Sarajit në Shkup, kërkoi mbështetjen me votë për t’u bërë shqiptari i parë që do të drejtonte me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Zyberi, që po ashtu me prejardhje është nga kjo pjesë e Shkupit, tha se ëndrrat e dikurshme sot janë bërë realitet, e kjo për shkak se nuk ka munguar vullneti, guximi dhe trimëria. U kërkoi edhe partive shqiptare që ta mbështesin kandidaturën e tij.
“Më lejoni t’i thërras kokës së partive të tjera shqiptare dhe t’i përkujtoj se unë kam pasur fatin që të jem deputeti i parë i Komunës së Sarajit dhe Dervenit. E ka dashur rasti që të jem ministri i parë i Dervenit dhe Sarajit. E ka dashur rasti që të jem nënkryetari i parë i qeverisë, andaj vëllezër na u bashkoni se do të jem kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut!” u shpreh Zyberi në tubimin në Saraj, përcjell tv21.tv.



