Zyrtarët e VV-së presion Thaçit e Mustafës që ta publikojnë letrën ku LDK-ja mandatohet për ta bërë qeverinë
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga presidenti i vendit dhe kreu i LDK-së, që të publikojnë shkresën e dërguar për mandatarin te Lidhja Demokratike, shkruan Gazeta Express.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se zyra e presidentit javën që ka shkuar ka konfirmuar se presidenti ka kërkuar nga LDK-ja emrin për mandatar.
Ajo thotë se, megjithatë, kjo shkresë nuk është publikuar ende në media.
“Zyra e Presidentit javës që shkoi u konfirmoi mediave që Presidenti ia kishte kërkuar emrin për mandatar, Kryetarit të LDK, Isa Mustafa. Jemi të gjithë dëshmitarë, sidomos vet gazetarët, se letrat e shkresat për këto tema drejtuar LVV dhe Kryeministrit Kurti, më parë dilnin në media se sa mbërrinin në zyrat tona. Çka u bë tash? Pse nuk e publikojnë këtë shkresë? Pse ky terr informativ? Pse kjo mungesë absolute e transparencës”, ka shkruar ajo, teksa ka kërkuar nga presidenti dhe kreu i LDK-së, që të publikojnë letrën.
Padyshim që ata janë të vetëdijshëm për arbitraritetin e tyre dhe se kjo është shkelje e Kushtetutës me paramendim”, ka shkruar Haxhiu.
Zyra e presidentit, javën e kaluar ka konfirmuar një takim të mbajtur në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa.
Aty është bërë e ditur se presidenti i ka dorëzuar Mustafës një letër ku i kërkon propozimin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili duhet të sigurojë se do të krijojë Qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse. /GazetaExpress/