10 politikanët me më së shumti pëlqime në fotografitë e tyre në Facebook, kush e mban rekordin
Rrjetet sociale përdoren nga politikanet si mjet informimi dhe publikimi i aktiviteteve të tyre.
Natyrisht që në postimet e tyre, qoftë si fotografi apo informacione lidhur me ngjarje të caktuara, vëmendje marrin edhe komentet dhe pëlqimet nga personat që ata i ndjekin në rrjete sociale.
Gazeta “Bota sot” ka nxjerrë fotografitë me më së shumti pëlqime të politikanëve.
Rekordin për fotografinë me më së shumti pëlqime e mban kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fotografinë e profilit të publikuar në janar ka grumbulluar gjithsej 93 mijë pëlqime.
Kurti pasohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila në fotografinë e saj të profilit të publikuar në mars të këtij viti, ka grumbulluar 89 mijë pëlqime.
I treti renditet ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka marrë 32 mijë pëlqime në fotografinë e tij të publikuar me rastin e ditëlindjes, në vitin 2016, duke pasur kështu këtë fotografi më të pëlqyerën në llogarinë e tij në Facebook.
E pas Thaçit vjen lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili në fotografinë e gushtit të vitit 2020 ka marrë gjithsej 14 mijë pëlqime.
Me 11 mijë pëlqime në fotografinë e profilit renditet më pas ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për tu pasuar nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka marrë 9 mijë e 700 pëlqime në fotografinë e publikuar në muajin maj.
Pas Abdixhikut vjen Mimoza Kusari Lila, me një diferencë të vogël nga ai, e cila ka marrë 9 mijë e 600 pëlqime.
Me 8 mijë e 900 pëlqime renditet më pas ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e pas saj lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj me një fotografi të profilit të vitit 2019, që ka marrë 7 mijë e 500 pëlqime, ku shihet me plis të bardhë në kokë.
Ndërsa krejt në fund është renditur ish lideri i PDK-së, Kadri Veseli, i cili në fotografinë e profilit të publikuar në vititn 2016, ka marrë 7 mijë e 300 pëlqime./BS/