LAJME

A ka LDK-ja kandidat për president? Flet kryetari i partisë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka folur lidhur me çështjen e presidentit dhe formimin e Qeverisë së re një ditë para takimit që i njëjti do të mbajë me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin në Kuvend të Kosovës.

Në një paraqitje para mediave, Abdixhiku ka thënë se partia e tij do të jetë unike në qëndrime, e se një vendim për çështjen e presidentit do ta marrin sapo të formohet Qeveria e re, në konsultim edhe me deputetët.

“Për të qenë unik karshi diçka duhet të dihet fillimisht çka është ajo, ne ende se kemi kryesinë, unë deputetët e partisë time i takoj shpesh, marr mendime nga ta, me kohë do të definojmë edhe pozicionin tonë të qartë”, ka thënë ai.

Kreu i LDK-së është pyetur nga gazetarët nëse LDK-ja ka një propozim për president.

Abdixhiku ka thënë se këto ide janë çështje që nuk janë diskutuar, e se ftesën për takim me Osmanin e Kurtin e ka quajtur “sjellje të mirë të pozitës”.

“Nuk mund të jap detaje dhe këto ide nuk i kemi diskutuar, është sjellje e mirë prej pozitës, është mirë që po takohemi, kjo është forma që duhet ta ndjekim tash”, ka thënë ai.