Bashkimi Evropian përgënjeshtron Ramën: I kemi kërkuar sqarim për marrëveshjen e Portit të Durrësit!
Bashkimi Evropian i ka kërkuar qeverisë shqiptare sqarime për të vlerësuar nëse marrëveshja me kompaninë Emaar për investimin prej 2 miliardë dollarë në Portin e Durrësit shkel marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që i ndalon Shqipërisë trajtimin preferencial të kompanive jashtë BE. Ekskluzivisht për Dosja.al, zyra e BE në Tiranë përgënjeshtron kryeministrin Edi Rama.
Marrëveshja e qeverisë shqiptare për zhvillimin e Portit të Durrësit nga kompania Emaar, e sheikut arab Mohamed El Alabbar, i ka hapur probleme Shqipërisë në Bruksel. Dosja.al ka raportuar dy ditë më parë ekskluzivisht debatin që u zhvillua me dyer të mbyllura mes komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, shefit të Politikës së Jashtme në BE, Joseph Borrell dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Bashkimi Evropian kërkoi sqarime nga qeveria shqiptare nëse kjo marrëveshje shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Por kryeministri Edi Rama, e mohoi dje më forcë një shqetësim të tillë të ngritur nga BE. Për ti shkuar deri në fund të vërtetës, Dosja.al kontaktoi me zyrën e shtypit pranë Delegecacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Në përgjigjen dërguar via email, Delegacioni i BE në Tiranë, konfirmon se BE është në dijeni të marrëveshjes dhe kërkon sqarime nga Shqipëria.
“BE-ja është në dijeni të marrëveshjes së përfunduar në nëntor të vitit të kaluar midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila përfshin një rizhvillim të madh të portit të Durrësit. BE-ja u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të japin sqarime për të vlerësuar përputhjen e marrëveshjes me Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit midis BE-së dhe Shqipërisë.”-thuhet në përgjigjen për Dosja.al nga Bashkimi Evropian.
Por si e mohoi dje kryeministri Edi Rama?
Kryeministri jo vetëm që mohoi që në Bruksel të ishte vënë para përgjegjësisë për këtë marrëveshje, por me ironi dhe tallje tha se këto lajme janë “fakte alternative të një bote paralele të ndërtuar me lajme të rreme“. Rama tha se në Bruksel as nuk ishte përmendur fare kjo çështje./syri.net