LAJME

Deputetja boshnjake, ka kusht përpara se të votojë Qeverinë Kurti 2

Adrijana Hoxhiq nga Partia Ujedinjen Zajedinca do të jetë deputete në legjislaturën e re të Kuvendi të Kosovës nga komuniteti boshnjak.

Për 5183 votat e marra ajo u akuzua se pati marrëveshje me Listën Serbe që të votohet edhe në komunat me shumicë serbe.

Por, Hoxhiq mohoi një gjë të tillë duke thënë se u votua falë aktivitetit të saj politik të mëhershëm. Derisa votat nga serbët dhe komunitetet tjera po i konsideron demokratike dhe që i shërbejnë një shteti multientik.

“Në secilën komunë që kam marrë vota, i kam marrë ato nga të gjitha komunitetet. Unë punoj shumë afër me qytetarë dhe e kam pasë një princip shumë të logjikshëm gjatë prezantimit. Angazhimi im në komunën e Mitrovicës sime është një fakt që multietniciteti dhe bashkëjetesa ekziston pikërisht për shkak të kontributit tim në qeverisjen lokale. Unë i përkrahi të gjitha komunitetet dhe për këtë arsye kam qenë e përkrahur nga të gjitha komunitetet”.

“Është demokraci të votohet qytetari kënd të do. I inkurajoj të gjitha subjektet që t’i shfrytëzojnë krejt mekanizmit ligjorë. Për mua s’është shkelje e ligjit. Unë do të jem krejtësisht e pavarur. Unë jam për demokraci dhe jam për respektim të legjislaturës. Në listën time janë të gjithë boshnjakë të vërtetë. Dhe e di që ne kemi do të punojmë për komunitetin boshnjak dhe në këtë aspekt do t’i ndihmojmë edhe komuniteteve tjera”.

Hoxhiq ka thënë se votën e saj pro qeverisë që do të formohet nga Lëvizja Vetëvendosje do ta kushtëzojë me kërkesën për krijimin e dy komunave me shumicë boshnjake.

“Ne s’kemi asgjë kundër Vetëvendosjes. Është partia që ka marrë më shumë vota dhe është vullneti i qytetarëve. Kërkesa ime është formimi i dy komunave të boshnjakëve. Shpresoj që Kurti me aktivitetin e tij do të tregojë që komuniteti boshnjak është i mirëseardhur. E vetmja mënyrë që boshnjakët të mbesin si boshnjakë dhe jo të asimiluar është themelimi i komunave me shumicë boshnjake”.

Megjithatë, Hoxhiq ka thënë se ende nuk është e vendosur 100 për qind nëse do të veprojë në këtë mënyrë, ndërsa ka shtuar se nuk do ta pengojë zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente me arsyen se nuk bën tregti me votën.

Duda Balje, ish-deputete nga komuniteti boshnjak, më herët ka thënë se ka plan që pas krijimit të komunave me shumicë boshnjake, ato do t’i bashkohen Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke u bërë sistem paralel i Kosovës.

LEAVE A RESPONSE