Të parët që e hodhën në publik idenë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë dy presidentët Thaçi dhe Vuçiq. Ata gjatë një forumi të organizuar nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, dhe presidenti i Austrisë, në Alpabach, folën se si përmes korrigjimi të kufijve, Kosova dhe Serbia do të mund të arrijnë një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë duket se kundërshtimi që ka marrë kjo ide, bëri që Thaçi të deklarohet se nuk është ideator i saj, duke deklaruar se për një gjë të tillë ka mësuar nga ish-presidenti Rugova, Lufti Haziri e Nexhat Daci, gjë që u kundërshtua ashpër nga zyrtarë të LDK’së.
“Viti 2010: Kush paralajmëroi ‘rregullimin e kufijve’ dhe ide e kujt është? Një prej paralajmërimeve më serioze për idenë e “rregullimit të kufijve” apo “shkëmbimit të territoreve” ishte bërë nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) në raportin e tij “Kosova dhe Serbia pas mendimit të GJND-së”, Raporti për Evropë Nr.206, të publikuar më 26 gusht 2010”, ka shkruar Ramadani.
Sipas këtij raporti thuhet se Serbia nuk është e gatshme që të vendos raporte diplomatike me Kosovën në kufijtë e saj të 17 shkurtit, duke e parë kështu idenë e korrigjimit të kufijve si një nga rrugët që Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.