LAJME

Erdogan në OKB: E turpshme që vazhdon ende nacionalizmi i vaksinës

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se bota ka kaluar periudha të dhimbshme në dy vitet e fundit dhe 4,6 milionë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e pandemisë së koronavirusit të llojit të ri (Covid-19).

“Vazhdimi i nacionalizmit të vaksinave është një turp për njerëzimin në një kohë kur dhjetëra miliona njerëz janë prekur nga virusi”,- nënvizoi ai.

Presidenti Erdoan iu drejtua me një fjalim sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Në fjalimin e tij, ai solli në kujtesë se njerëzimi ka kaluar ditë të dhimbshme në këto dy vitet e fundit.
“Ne kemi humbur 4,6 milionë njerëz nga epidemia e koronavirusit. Në një periudhë kur dhjetëra miliona njerëz po vuajnë në kthetrat e virusit, fakti që nacionalizmi i vaksinave vazhdon ende është një turp për njerëzimin”,- vuri në dukje udhëheqësi turk.
Në vijim të fjalës së tij ai u shpreh se Turqia nga njëra anë ofroi shërbimet më të mira shëndetësore për qytetarët e saj, dhe nga ana tjetër ajo dërgoi ndihmë mjekësore në 159 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare.
“Dua të shpreh se së shpejti ne do ta ofrojmë vaksinën tonë kombëtare, ‘TURKOVAC’në të mirë të njerëzimit dhe Turqisë”,- theksoi Erdoan.
“Shpresojmë që paqja, stabiliteti dhe siguria të vendosen në Afganistan sa më shpejt të jetë e mundur dhe që populli afgan do të gjejë paqe. Turqia do të vazhdojë të përmbushë detyrën e saj të vëllazërisë ndaj popullit afgan në këto ditë të vështira”, tha ai në lidhje me çështjen e Afganistanit.
Duke theksuar se tragjedia humanitare në Siri, e cila ka shkaktuar vdekjen e qindra-mijëra njerëzve dhe zhvendosjen e miliona të tjerë para syve të të gjithë botës, po shpaloset për dhjetë vjet, Erdoain tha se Turqia nga njëra anë po mirëpret gati 4 milionë sirianë, ndërsa nga ana tjetër po lufton në terren kundër organizatave terroriste, të cilat e mbytin rajonin në gjak dhe lot.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të lejojë që kriza siriane të vazhdojë edhe për 10 vjet të tjera”,- kërkoi ai duke theksuar se një vullnet më i fortë duhet të shfaqet për t’i gjetur problemit një zgjidhje politike në bazë të Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të përmbushë pritjet e popullit sirian.
“Një nga çështjet më të rëndësishme që nxit paqëndrueshmërinë dhe kërcënon paqen dhe sigurinë në rajonin tonë është konflikti izraelito-palestinez”,- tha më tej Erdoan.
“Përderisa persekutimi i popullit palestinez vazhdon, është e pamundur që Lindja e Mesme të arrijë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. Për këtë, politikat e okupimit, aneksimit dhe kolonizimit ilegal duhet të ndalojnë absolutisht dhe menjëherë. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë shkeljet që i bëhen statusit ndërkombëtar të Jerusalemit, statusit të Xhamisë al-Aksa dhe të drejtave të popullit palestinez që mbështeten në rezolutën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1947. Procesi i paqes dhe vizioni i një zgjidhjeje me dy shtete duhet të rifillojnë pa vonesë të mëtejshme”,- shtoi ai.