LAJME

Euro e nis javën në rënie, shënon rekord të ri për 14 vitet e fundit (FOTO)

Euro e ka nisur javën e fundit të vitit 2021 me një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të Bankës së Shqipërisë, të martën euro u këmbye me 120.36 lekë, duke shënuar një rekord të ri për 14 vitet e fundit. Kursi i euros nuk binte në nivele të tilla qysh prej fundit të dhjetorit të vitit 2007. Ekspertët e tregut valutor shprehen se kjo rënie e euros është kombinim i një oferte në vijimësi të lartë të monedhës europiane me disa faktorë të përkohshëm që mund ta kenë rritur edhe më shumë këtë ofertë.

Një faktor tjetër me ndikim të konsiderueshëm mund të jetë edhe Eurobondi prej 650 milionë eurosh që qeveria shqiptare siguroi në muajin nëntor. Një pjesë e këtyre parave po përdoren për të mbuluar deficitin buxhetor dhe për të financuar shpenzimet publike në pjesën e fundit të vitit. Hedhja në treg e këtyre parave mund të ketë rritur më tej ofertën për valutë dhe të ketë ndikuar më shumë në nënçmimin e euros kundrejt lekut në kursin e këmbimit.

Këta faktorë, por edhe oferta në vazhdimësi e lartë e euros, qoftë nga burime formale apo informale, kanë bërë që monedha europiane të zbresë në nivelet ku qëndronte para shpërthimit të krizës financiare të vitit 2008. As rritja e çmimeve të mallrave të importit duket se nuk ka qenë e mjaftueshme për të ushtruar presione drejt mbiçmimit të kursit të euros. Një nga produktet më të ndikuara nga rritja e çmimeve, energjia elektrike, është blerë kryesisht me kredi të marra direkt në euro nga sektori bankar.