LAJME

Eurostat: Veriu i Shqipërisë, rajoni më i varfër i Europës

Zonat e Veriut të Shqipërisë janë më të varfrat në Europë, sipas një publikimi të fundit të prodhimit për frymë rajonal të Eurostat, me të dhëna që i referohen vitit 2018 dhe 2019.

Sipas Eurostat, në vitin 2018, Veriu i Shqipërisë kishte të ardhura për frymë prej 3600 eurosh, nga 4500 euro që është mesatarja e vendit tonë.

Edhe Jugu i vendit sërish është në nivele të ulëta prej 4000 eurosh për frymë, sipas Eurostat. Në nivele të ngjashme janë disa rajone të Turqisë dhe të Serbisë.

Vetëm në qendër, të ardhurat janë pak më të larta, duke arritur në 5,400 euro për frymë, duke ua kaluar disa rajoneve të Turqisë, Serbisë e Maqedonisë.

Edhe në nivel shteti, (me 4500 euro për frymë nivel mesatar) Shqipëria është e fundit në Europë. Më dobët pas Shqipërisë është Maqedonia (5200 euro), Serbia (6,100 euro), ndërsa kryesimin në rajon e mban Mali i Zi (7500 euro).

Mesatarja e Bashkimit Europan është 31 mijë euro të ardhura për frymë, sipas Eurostat.

Sipas Eurostat, rajonet kryesore në renditjen e PBB-së rajonale për frymë në 2019, pas Luksemburgut (260% të mesatares së BE), jugu i Irlandës (240%), Praga (205%) në Çeki, Brukseli në Belgjikë (202%) si dhe Hamburgu (195%) në Gjermani.

PBB-ja e lartë për frymë në këto rajone mund të shpjegohet pjesërisht nga një fluks i lartë i punëtorëve që udhëtojnë (Luksemburg, Pragë, Bruksel dhe Hamburg) ose nga pasuritë e mëdha kapitale të zotëruara nga disa kompani shumëkombëshe me vendbanim në disa rajone (psh Midland në Irlandë) )

Në të kundërt, zona Veri-Perëndimore në Bullgari dhe Mayotte (të dy 32% e mesatares së BE),  janë rajonet më të ulëta në renditje./Monitor

LEAVE A RESPONSE