Gazetari britanik Tim Judah ka shkruar në orët e vona se gjendja në veri të Kosovës mund të tensionohet.
Sipas tij, ushtria serbe është duke u vendosur në afërsi të kufijve në veri të Kosovës, bazuar në raportimet e ndryshme.
“Ushtria serbe raportohet se është duke ju ofruar kufijve të Kosovës dhe Policia e Kosovës tashmë ka zbarkuar në veri/
Tërë kjo pasi që Qeveria e Kosovës ka vendosur të njëjtat rregulla për tabelat e regjistrimit serbe ashtu sikurse bënë Serbia për ato të Kosovës. Shtyerja e bërrylave Vucic-Kurti mund të bëhet e rrezikshme”, ka shkruar Judah.
Kujtojmë se dje që nga orët e mëngjesit njësitë speciale të Republikës së Kosovës kanë filluar implementimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitetin me targat serbe të automjeteve
Institucionet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë në shenjë pakënaqësie.
Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë kalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Ata kanë vendosur disa çadra në Jarinj dhe kanë shpallu Asociacionin e Komunave Serbe.
Banorët serbë në veri të Mitrovicës vazhdojnë të protestojnë, duke mbajtur të bllokuara rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak. Krejt kjo, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar më qarkullimin me vetura me targa të Serbisë, njësoj siç vepron Serbia me targat RKS.