Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar ish-kryeministrin, Albin Kurti dhe kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti për dështim në menaxhimin e pandemisë me COVID-19.
Ai në një postim në Facebook ka përkujtuar se një vit qëkur u shpallë pandemia me COVID, Ministria e Shëndetësisë nuk ka siguruar asnjë vaksinë antiCOVID-19, ndryshe nga shtetet tjera që tashmë kanë nisur vaksinimet e qytetarëve të tyre.
Ky dështim total në menaxhim të pandemisë është përgjegjësi e të dy qeverive Kurti e Hoti. Numri i rasteve po rritet çdo ditë. Tanimë nuk dihet as në cilën valë të pandemisë jemi, e as cili variant i virusit po shpërndahet, ndërsa për menaxhim të kufijve, se kush mund të na sjelli variantin e ri të virusit as që mund të diskutohet! Ajo që kemi parë deri tani është pabarazia dhe diskriminimi në mbështetjen financiare të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
“Pasi që jemi në një proces konsolidimi të institucioneve e që nuk dihet kur do të ndodh kjo, qeveritarët në pritje të marrjes së pushtetit dhe ata në detyrë, duhet që sa më parë të bashkërendojnë veprimet e tyre për ta siguruar vaksinën sepse shëndeti dhe jeta e qytetarëve tanë janë të rrezikuara nga dita në ditë”, shton ai.
Ndryshe, që nga shpërthimi i epidemisë me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar 75.380 raste pozitive, 1.682 të vdekur, numri i përgjithshëm i të shëruarve është 63.380, ndërsa numri i rasteve aktive 10.318.