Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj është deklaruar para takimit me Këshillin Drejtues të partisë.
Hoxhaj ka thënë se në këtë takim do të diskutohet për rezultatin e zgjedhjeve edhe për ri-organizimin e kësaj partie.
“Kjo mbledhje nuk është asgjë tjetër veçse një dialog i brendshëm i PDK-së. As nuk ka iniciativë, as nuk ka vendim për shkarkime”, ka thënë ai.
Më tutje ai tha se PDK-ja do të rikthehet e para në vend.
“Kjo ka treguar që PDK-ja ka lidership dhe kapacitet që do ta udhëheq veten e saj rreth tokës së premtuar që në politikë i thonë fitore. Ne do të rikthehemi në pushtet, do të bëhemi subjekti i parë politik në vend, por qytetarët e Kosovës më 14 shkurt e kanë mandatuar z.Kurtin që të formojë qeverinë dhe mua më kanë mandatuar që të qëndrojë në opozitë”, ka thënë ai.
Më tutje ai foli edhe për votat që PDK-ja mund t’i jap për Vjosa Osmanin presidente. Hoxhaj theksoi se për një gjë të tillë , dje nuk ka marr mbështetje në kryesinë e partisë.
“Ne dallojmë prej subjekteve tjera politike. Unë nuk i marr vendimet as në këtë konferencë e as në studiot televizive por në organet e PDK-së. Dje në mbledhjen e Kryesisë nuk ka pasur vullnet për një gjë të tillë ta shohim sot me Këshillin Drejtues”, ka thënë ai.
Dje Hoxhaj ka mbajtur takim edhe me kryesinë e PDK-së.


