Ka filluar takimi i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, i pari ky pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në të cilat kjo parti doli e dyta në nivel të vendit.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj para takimit ka thënë se do të bëhet një analizë e rezultatit zgjedhor, si dhe do të diskutohet edhe për çështjen e presidentit.
“Do të dalim me veprime konkrete se si PDK ta bëjë opozitën në raport me qeverinë e ardhshme. Se si të organizohemi për zgjedhjet lokale dhe se si në mënyrën më të mirë të mundshme të përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj ka mohuar që ka iniciativë apo vendim për shkarkimin e strukturave partiake, teksa ka treguar se a do të votojnë Vjosa Osmanin për presidente.
“Dje temë kryesore e kemi pasur se cili do të jetë qëndrimi i PDK-së në raport me formimin e institucioneve… Unë nuk i marrë vendimet as në këtë konferencë për shtyp as në studio televizive, por në organet e PDK-së dje, në mbledhjen e kryesisë nuk ka pasur përkrahje një gjë e tillë, sot do të diskutohet përsëri në këshillin drejtues”, ka deklaruar ai.
I pyetur lidhur me çështjen e kryetarit dhe mundësinë e zgjedhjeve të brendshme në PDK, Hoxhaj është shprehur se PDK-ja e ka kryetarin në Hagë.