LAJME

Isa Mustafa tregon preferencat e tij për kryesinë e re

Kryetari i LDK-së, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë por zyrtarisht ende nuk është larguar nga kryesia, Isa Mustafa, ka folur pas takimit me kryetarët e degëve të LDK-së.

Ai ka thënë se do të qëndrojë në pozitën e kryetarit deri sa të përfundojnë përgatitjet për Kuvendin Zgjedhor, ku pritet të zgjedhet edhe kryetari i ri i LDK-së, transmeton Periskopi.

I pyetur për preferencat e tij për kryetarin e ri, Mustafa ka thënë se kjo çështje i takon Kuvendit.

“Nuk mund të deklarohem unë për preferencat e mija, ato i takojnë Kuvendit Zgjedhor të LDK-së. Por, unë mund të them se në krye të LDK-së duhet të vie dikush që mbron vlerat e LDK-së, që e drejton LDK-në përpara dhe që LDK-ja të kthehet si forcë fituese në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Mustafa.

Ai ka bërë apel që të mos insistohet nga mediat për emra konkret të kandidatëve për kryetar të LDK-së, duke thënë se kjo duhet t’i lihet në dorë Kuvendit.

Gjithashtu, Mustafa ka mohuar se brenda LDK-së është duke zhvilluar takime të fshehta, duke i quajtur këto deklarata ‘gënjeshtra’. /Periskopi

LEAVE A RESPONSE