Ish gjyqtari i Kushtetueses për Periskopin: Osmani i duhet kundër-kandidati, Konjufca mund ta gjejë veten në Presidencë
Ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka dhënë një prononcim për Periskopin në lidhje me çështjen e ‘nxehtë’ të presidentit – e cila ka shkaktuar paqartësi të reja për politikën tonë.
Ende nuk dihet nëse do të zgjidhet i pari presidenti apo kryeministri. Ashtu siç nuk dihet edhe nëse VV mund të sigurojë praninë e 80 deputetëve për t’i siguruar kuorumin Vjosa Osmanit për t’u bërë presidente.
Periskopi ka pyetur z.Kadri Kryeziun, ish gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e i cili i ka dhënë disa sqarime mjaft të vlefshme.
“Për çështjen e presidentit duhet të jenë prezentë dy të tretat [e deputetëve] për me nis seanca. Me pas kuorum, me nis seanca. Nëse nuk janë, nëse janë 79, nuk mundet me fillu procedura për zgjedhjen e presidentit. Për zgjedhjen e presidentit, minimumi duhet me qenë dy kandidatë të propozuar. Për ta propozuar kandidatin duhet me i pas minimumi 30 nënshkrime. Nëse nuk janë dy kandidatë, përsëri nuk fillon procedura.” – ka thënë z.Kryeziu për Periskopin.
Ai po ashtu ka treguar se Glauk Konjufca mund të bëhet ushtrues detyre i presidentit të Kosovës, duke i hequr përkohësisht karrigen Vjosa Osmanit, e cila ka kryer këtë funksion që nga koha kur u lidh ish presidenti Thaçi nga Specialja.
“Duhet me u thirr seanca për konstituimin e parlamentit. Ne jemi republikë parlamentare. Në kuptimin figurativ, parlamenti është truri i shtetit. Në moment që zgjidhet kryetari i Kuvendit, me automatizëm bëhet ushtrues detyre i presidentit të Kosovë. E tash, pasi të kryhen këto formalitete, bëhet edhe konstituimi i qeverisë. U.d. i presidentit, që po flitet për Glaukun, bën nominimin e mandatarit. Mandatari vjen nga partia e parë, që ka më së shumti ulëse në parlament. Ai e ka për detyrë brenda 15 dite me e formu qeverinë.” – ka shtuar më tej z.Kryeziu. /Periskopi

